FNA publikoi raportin e monitorimit të Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë për vitin 2025

Forumi për Ndryshime Arsimore (FNA) prezantoi raportin e monitorimit të punës së Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, duke hapur diskutimin mbi transparencën, llogaridhënien dhe efektivitetin e mekanizmave të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut.

Më 26 tetor 2026, FNA organizoi prezantimin publik të raportit, në të cilin mori pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani. Gjatë takimit u prezantuan gjetjet kryesore dhe rekomandimet e hulumtimit, me fokus të veçantë në punën e Bordit të Akreditimit dhe Bordit të Evaluimit.

Raporti analizon vendimmarrjen e institucioneve përgjegjëse për sigurimin e cilësisë gjatë vitit 2025. Nga gjithsej 179 vendime për akreditimin e programeve studimore, 141 ishin pozitive dhe 38 negative, ndërsa numri i programeve të akredituara shënoi rritje prej 28% krahasuar me vitin paraprak.

Hulumtimi evidenton gjithashtu sfida në funksionimin e sistemit të evaluimit, transparencën e vendimmarrjes dhe kapacitetet institucionale për të garantuar standarde të qëndrueshme të cilësisë.

Publikimi i raportit vjen në një moment të rëndësishëm, kur po zhvillohet procesi i ndryshimeve ligjore përmes Ligjit të ri për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, i cili parasheh ristrukturimin e Agjencisë dhe organeve të saj. Në këtë kontekst, FNA synon që gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit të shërbejnë si bazë për reforma të mbështetura në evidencë dhe për forcimin e pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Akreditimi nuk duhet të jetë thjesht leje për të ofruar programe studimore, por garanci për cilësinë e tyre.

FNA do të vazhdojë të monitorojë punën e institucioneve përgjegjëse dhe të angazhohet në proceset e reformimit të arsimit të lartë, duke kërkuar që cilësia të jetë kriteri themelor i çdo vendimmarrjeje.

Raporti i plotë i monitorimit është i disponueshëm për shkarkim më poshtë.

ACAL 2025