KONFIRMOHET DENONCIMI I FNA-SË PËR ARBRESHA BEXHETI FERATIN, UNIVERSITETI I TETOVËS GJOBITET ME 2.500 EURO, REKTORI ME 750 EURO.
Me anëtarët e komisionit recenzues Nevzat Elezi, Nexhbedin Beadini dhe Zaklina Cakovska do të merret gjykata kompetente, pasi Inspektorati Arsimit ka dërguar parashtresë.
Kriminelët akademikë me banditët e zakonshëm kanë një të përbashkët; asnjëri s’e pranon që ka kryer krimin. Inspektorati i Arsimit ka konstatuar që edhe 8 ditë pas konstatimit të shkeljeve, UT-ja nuk ka vepruar sipas udhëzimeve të tyre, përkatësisht nuk e ka shpallur të pavlefshëm konkursin dhe nuk e ka përsëritur procedurën nga fillimi.
Kryeneç për veprimet e tyre për të cilat FNA-ja njoftoi gjithë opinionin si dhe jobashkëpunues janë treguar edhe anëtarët e Komisionit Recenzues Nevzat Elezi, Nexhbedin Beadini dhe Zaklina Cakovska.
Asnjë prej tyre nuk është paraqitur më 22 maj, në komisionin e formuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës ku supozohej të nënshkruanin gjobat prej nga 1 mijë euro secili.
Asgjë akoma s’ka përfunduar.
Kenan Ferati vijon të mbajë postin e kreut të Senatit, përkundër që ky rast akoma s’ka marrë epilog ndërsa emri i tij është i përfshirë në dosje. Burimet e FNA-së mësojnë që Inspektorati i Arsimit ka dërguar parashtresë në Komisionin për Antikorrupsion për potencialisht konflikt interesi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata Administrative do të merret me (jo)ligjshmërinë e vendimit të Senatit të nënshkruar nga kreu i atëhershëm i senatit, Kushtrim Ahmeti, kandidat aktual për rektor, që t’i njohë Arbresha Bexheti Feratit thirrjen e marrë në një universitet në Beograd, Serbi, pa verifikuar nëse kandidatja i plotësonte kushtet e detyrueshme ligjore. Mësojmë që Inspektorati i Arsimit veçse ka dërguar propozimpadi për këtë.
Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq, ndërsa ndjekim me vëmendje epilogun e këtij rasti, përsërisim kërkesën e kahershme për veting në arsimin e lartë.
Përgëzojmë Inspektoratin e Arsimit për punën profesionale, kjo është mënyra e vetme për të shpëtuar institucionet nga hajnat dhe kriminelët akademikë të cilët vendit përditë i dhurojnë analfabetë funksionalë ndërsa llogarive të tyre bankare, shuma të majme parash.