Rasti që po denoncojmë sot tregon qartë se si mobilizimi i vazhdueshëm i zinxhirit; familjarë të gjakut dhe atyre të interesit ka peshuar më shumë se sa Ligji, Statuti dhe çdo rregull tjetër i shkruar.
Pak janë organet brenda Universitetit të Tetovës që nuk janë të përfshira në këtë avancim të kundërligjshëm akademik. Ky rast është tregues se në këtë pikë, procesi i avancimeve më nuk ka të bëjë me atë se sa di, por se sa dhe kë njeh.
Arbresha Bexheti Ferati, e angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe njëkohësisht bashkëshorte e kryetarit të Senatit të Universitetit të Tetovës ka arritur që të avancohet në tituj akademik në kundërshtim të më shumë se 15 dispozitave ligjore dhe statutare, bazuar në raportin e Inspektoratit Shtetëror për Arsim.
Që kjo të bëhet e mundur, ka pasë angazhim serioz të:
-
Këshillit Mësimor Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë
-
Senatit të Universitetit të Tetovës
-
Komisionit Recenzues
Shkeljet janë të shumta, andaj do t’i përmendim shkurtimisht në rrjedhë kronologjike:
Viti 2022, Senati i Universitetit të Tetovës zhveshet nga kompetencat ligjore dhe i njeh Arbresha Bexheti Feratit titullin ‘profesor inordinar’ të fituar në Beograd, Serbi, pa verifikuar nëse kandidatja i plotësonte kushtet e detyrueshme ligjore.
Pa qenë e sigurt se e meritonte titullin paraprak, Arbresha Bexheti Ferati synoi për më lart.
Andaj, në fund të vitit 2025, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Nevzat Elezi pa kompetence ligjore shpall konkurs për zgjedhje në thirrjen akademike ‘profesor i rregullt’. Konkursi u publikua në shtypin ditor dhe ueb-faqjen e universitetit në data të ndryshme ndërsa kandidatë kërkoheshin për 3 fusha shkencore në vend se për 1 siç thotë ligji.
Befas, aplikon vetëm një kandidate, Arbresha Bexheti Ferati. Saga e shkeljeve ligjore vazhdon me krijimin e Komisionit Recenzues në përbërje Nevzat Elezi, Zaklina Cekovska dhe Nexhbedin Beadini që do të vlerësonin për avancimin ose jo të Bexheti Feratit.
Ndërkohë që ligji kërkon që shumica, pra 2 prej 3 e anëtarëve të Komisionit Recenzues të jenë të fushës që zgjidhet kandidati, asnjë prej tyre nuk i përkiste fushës së mjekësisë sociale dhe fushës së emëruar si ‘tjetër’ ndërsa një prej 3 anëtarëve ishte i fushës së biologjisë, që nuk i përket fare mjekësisë bazë.
Gjetjet në referatin e përpiluar nga këto 3 anëtarë thellojnë skandalin, si dëshmi për zgjedhjen e mëhershme akademike të kandidates Arbresha Bexheti Ferati kanë shënuar buletinin 166 ndërsa kur inspektorët hapën buletinin; u shfaq emri i bashkëshortit të saj, kryetarit aktual të Senatit të UT-së, Kenan Feratit.
Tejet shqetësues është edhe fakti që Arbresha Bexheti Ferati nuk ka arritur të ofrojë dëshmi për kryerjen e ciklit të dytë arsimor ndërsa referati gjithashtu nuk ka pasë informata nëse doktorata e Bexheti Feratit është në përputhje me nevojat e thirrjes së synuar akademike.
Komisioni Recensues nuk arriti të verifikojë nëse Arbresha Bexheti Ferati plotësonte kushtet qoftë për njërën prej 3 fushave në këtë konkurs. Por megjithatë propozoi që ajo të zgjidhet profesor i rregullt në Fakultetin e Mjekësisë.
Me krejt këto anomali të lartëpërmendura, me një referat tejet problematik dhe gjysmak, Këshilli Mësimor Shkencor më 8 prill të vitit 2026 vendosi që Arbresha Bexheti Feratit t’ia jep titullin akademik profesor i rregullt. Theksojmë se të njëjtën ditë ka filluar edhe inspektimi i cili ka zgjatur 7 ditë.
Kërkojmë që Rektori aktual i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli, t’i thirre mendje dhe të bashkëpunojë me organet inspektuese pasi informatat tona thonë që ai ka refuzuar të nënshkruajë procesverbalin për inspektimin e kryer. Zejneli gjithashtu të mbajë përgjegjësi që i gjithë ky zinxhir shkeljesh ligjore ka ndodhur pikërisht në kohën kur ai udhëheq me universitetin.
Këtu nuk kemi të bëjmë me rast individual, por me një skemë mirë të organizuar. Përpos shkeljeve të Ligjit për Arsim të Lartë, FNA-ja i bën thirrje Prokurorisë Publike të hetojë shkelje të mundshme penale si keqpërdorimi i detyrës zyrtare, potencialisht falsifikim të dokumenteve si dhe konfliktit të interesit.
Universiteti i Tetovës menjëherë të anulojë thirrjen e fundit akademike të Arbresha Bexheti Feratit ndërsa pas kësaj Inspektorati i Arsimit të hulumtojë nëse ajo i plotëson kushtet për titullin profesor inordinar. Bashkëshorti i saj, Kenan Ferati, të shkarkohet nga posti kryetar i Senatit derisa ky rast të merr epilog përfundimtar.